Kërko

https://luleshameti.com

Pse zgjodha fenë Islame?!

Eudhu bil-lahi minesh shejtanir rraxhimë !
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim !

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Si u udhëzova, në fenë Islame, në ihdinas siratal mustekim?!

Me Kur'an, me ndihmën dhe mëshirën e gjerë të Allahut,  (Zotit, që më krijoi), duke lexuar libra të shumtë dhe të ndryshëm, duke medituar mbi krijimtarinë e Allahut, mbi qiejt dhe tokën dhe çfarë ka midis tyre, dhe më në fund, duke e lexuar Kur'anin e shenjtë, gjeta të vërtetën e lumtur.

 

Pse zgjodha Fenë Islame...?!

Sepse është feja e vetme,  e pranuar tek All-llahu, dhe e vërteta, e lumtur.

(Rrugëtimi im, për në Islam...!)

(''Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun…”

Sure Ali Imran, 110, Kuran.)

“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame), Ne u bëmë juve një popull të drejtë,(një mes të zgjedhur)...” Sure El Bekare, ajeti 143, Kuran.

Es Selamun alejkum!

Falenderimi i plotë, i takon vetëm Allahut!

Bekimet dhe Paqja e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe të gjithë ata, që e pasojnë deri në ditën e gjykimit !
Eudhu bil-lahi minesh shejtanir rraxhim !
Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga dëmi shejtanit të mallkuar !
Bismilahi Rrahmani Rrahim !
Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit !

''O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur'ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.''
Kuran, Surja Junus, ajeti 57
“Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme, se ajo që grumbullojnë ata.” 
Kuran, Surja Junus, ajeti 58

'' O ju njerëz ! Në të vërtet, Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, dhe ju bëmë popuj e fise për ta njohur njëri tjetrin, e s'ka dyshim, se më i Nderuari prej jush, tek All-llahu është ai, që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë, asgjë nuk është e fshehtë."

Kuran, Surja Huxhurat, ajeti 13

''O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime, që ta kuptojnë fjalën time !''رَبِّ اشْرَحْ لِي صَدْرِي وَيَسِّرْ لِي اَمْرِي وَاحْلُلْ عُقْدَةً مِنْ لِسَانِي يَفْقَهُوا قَوْلِي 
Kuran, Surja Ta Ha, Ajetet (25-28)
..................................................................................................
Tashmë, jo vetëm në cilësinë e shkrimtares dhe të mësimdhënëses, por edhe të një besimtareje muslimane, që mundohet të jetë e përkushtuar,  si një praktikuese e rregullt, e fesë së bukur dhe madhështore Islame. Si e tillë, kjo më bën të ndihem më e gëzuar, më e ripërtërirë, në përditshmërinë jetësore, në raport me kohën time paraislame, por edhe më e përgjegjshme përpara Zotim tim, që është edhe Zoti i juaj.
Pra, d.m.th. çdo fjalë, çdo fjali, çdo varg, madje edhe çdo shenjë pikësimi dhe çdo frymërim mendimi dhe ndjeshmërie, çdo qelizë fjale, fjalie, vargu apo proze dhe gjurmët, që ajo do të lerë, në rrugën, në të cilën, përmes penës sime e kam drejtuar qënësinë njerëzore, do të flasin dhe do të dëshmojnë për mua, në ditën e gjykimit, ashtu si për çdo krijesë.
O Zoti im, bëj në penën time Dritë, dhe rrugën e fjalës time bëje shkëlqimtare, që ajo, fjala ime prej krijese, e ngjyer në nektarin e fjalës Tënde hyjnore, të mbrrijë në zemrat e pastra, por edhe të përvuajtura njerëzore, të mbjellë, të përhap e të lulëzojë vetëm mirësi, duke u bërë një prej burimeve, të freskëta, të florinjta, të shpërndarjes së dritës Tënde hyjnore, në dobi të vetes, individit, familjes, familjeve, shoqërisë, kombit, apo kombeve, për të tashmen dhe përjetësinë. Kështu, le të bëhet në ditën e gjykimit, dëshmuese e punëve të mia, të mira, në rrugën Tënde të drejtë, si ndjekëse dhe praktikuese e manifestuese, e rrugës më të bukur, më të ndritur, të diturisë, të mirëqënies, besimit, harmonisë, mëshirës, drejtësisë, paqes, stabilitetit, sigurisë dhe begatisë, përcaktuar nga Ty, o Krijuesi ynë i lavdishëm, o Zot i mirësisë së madhe, si dhuntia më e madhe dhe më e bukur, e shpalosur për krijesën Tënde, njeriun, të cilin e zgjodhe dhe e veçove mbi të gjitha krijesat e tjera, duke vënë në dispozicion të tij gjithçka tjetër, që e krijove, Ti, o i Madhërishëm. Ti, o i Lavdishëm e krijove njeriun me synimin e vetëm, për ta sprovuar, për të të adhuruar vetëm Ty, o Kreator i gjithëfuqishëm, dhe i gjithëpushtetshëm, për të qenë njeri vepërmirë e i shpëtuar, duke i dhuruar mundësinë , të jetë i lirë për të zgjedhur me dëshirë, me vullnetin e tij të lirë dhe të plotë, rrugën e drejtë, të duhurën, me ndihmën e Mëshirëplotit, nëse do ta konsiderojë.
Nuk ka fjalë më të bukur, më të përsosur, më qetësuese, rehatuese, lehtësuese, rregullatore, më mëshirëplotë, më nderuese, më dinjitoze, ndriçuese, ndihmëtare,  më shpresëdhënëse, optimiste dhe më largpamëse, sesa fjala e Allahut të lartësuar, fjalë shëruese, shpëtimtare, e ngadhënjyese, e cila gjendet në Kuranin e famshëm, të pashoq dhe të bekuar.
Kur zemra ime u bind për fuqinë e fjalës së Allahut të lartësuar, në të vërtetë unë edhe më parë kisha qenë muslimane, por jo praktikante, pra e bindur me një dashuri të madhe në Zemër, për Zotin e vetëm të gjithësisë, të Cilin, në të vërtet, që në fëmijëri të hershme e kisha marrë për Ndihmëtar, Prijëtar të çështjeve, ja kisha besuar çështjet, deri atje ku mbrrinte dija ime, Atij, që është i përsosur e i pa të meta, Allahut, që është i gjithëpushtetshëm, dhe, që nuk vdes kurrë. E gjitha kjo, falë dashurisë, mëshirës dhe bujarisë së Tij të madhe, që Ai, i Lartësuari e mbolli dhe e rriti në zemrën time, natyrshëm dhe me butësi, përmes argumentesh të njëpasnjëshëm e të pafundëm, që gjenden në qiej e në tokë, dhe në vetë njeriun, ashtu si edhe vetë besimi, sigurisht është dhuratë e madhe nga Allahu. Pra, kur zemra ime u mbush me Kuran, u mbush me këtë dritë të madhe Hyjnore, kuptova, se sa e vogël është fjala njerëzore prej krijese, dhe e krijesave në përgjithësi, pavarësisht gradimeve dhe statuseve, në raport me fuqinë e fjalës së Krijuesit të gjithësisë dhe sa e lartë, sa e përkryer dhe madhështore është fjala e Tij, fjala e Allahut të madhëruar. Dhe, se, fjala ime prej krijese, edhe pse me ngjyrime dhe tehun e artit të fjalës, e merr kuptimin dhe vlerën e duhur të mesazheve të denja njerëzore, vetëm nëse përdoret për t'u kumtuar mesazhi i Tij, urtësisht, butësisht, lehtësisht, besnikërisht, duke ndjekur gjurmët e Profetit tonë salallahu alejhi ue selem, ngase nuk ishte vështirë të kuptoje, se i Dërguari i Allahut, profeti ynë, Muhamedi alejhi selam, kurrësesi nuk ishte poet, por i dërguari i Allahut, Vula e profetëve, Mëshirë për të gjitha krijesat.Vetëm kështu, fjala prej shkrimtari, në çdo lëmi jetësore merr vlerën e duhur me shpërblime të mëdha hyjnore, vetëm në rrugën e Tij të Drejtë, në rrugën e Allahut të Madhëruar. Vetëm atëherë, fjala ime, prej njeriut të letrave, mund të lerë shijen e përshtatshme dhe të ëmbël, e të mund të krijojë oaze të shpresuara lumturie, me mbështetjen e plotë te Fuqiploti, te Er Rrahmani, të jetë e dobishme, duke i dhënë fjalës dhe kontekstit, ngjyrimet e këshillave të mençura, të urta, të bukura, njerëzore, në ndihmë dhe dobi të qënies njerëzore, për të jetuar një jetë dinjitoze, të shëndetshme, morale, psikologjike, shpirtërore, fizike, ekonomike, fetare, familjare, bashkëshortore, prindërore, etj, një jetë stabile, konform me kënaqësinë e Krijuesit të vet, sepse vetëm aty, në këtë sfond, jeta bëhet më e bukur, më e lumtur, më e sigurt dhe merr kuptimin e vërtetë.
Vjen kjo dritë rrëzëllitëse, për shpirtrat e etur dhe të uritur për mirësinë dhe diturinë, për stabilitetin, por edhe këshillat e bukura hyjnore, që janë kumtesë e madhe, këshilla, që burojnë nga Manuali i Lumturisë, Kurani, dritë, që duhet të depërtojë në brendësinë e njeriut dhe përreth tij, e, ku nocionet pesimizëm, plogështi, ligësi, kurth, dredhi, boshësi, vetmi, irritim, pamaturi, papjekuri, nxitim, varfëri shpirtërore,  morale, etj. duhet të bëhen të huaja, e për to, të mos mbetet asnjë copëz vend, në zemrën dhe jetën e njeriut të ditur, besimtar, njeriut të kapur për litarin e Allahut, Kuranin, njeriut të përkushtuar e të devotshëm.
Nëse njeriu dëshiron ta lidh zemrën, me litarin e Allahut, që është lidhja më e fortë, më e sigurt, për të devotshmit, lidhje e krijesës me Krijuesin, Sundimtarin e vërtetë, të cilën nuk mundet dot ta këpus asgjë dhe askush, dhe përmes së cilës arrihet suksesi i madh në këtë botë, por edhe në botën tjetër, ahiretin.
Lidhje, që sigurohet përmes zbatimit të ajetit Kuranor, me të cilin çeli dhe filloi, zbriti shpallja Hyjnore, në shërbim të njerëzimit:''Me emrin e Zotit tënd, Lexo !''

Sure Alak,Kur'an.
Pra, përmes shtegut të diturisë, sigurohet jo vetëm dituria, në shkencat Islame, por edhe të gjitha llojet e shkencave, të cilat i janë mundësuar njerëzimit, në të mirë të tij.
Dikur, kur unë nuk isha e informuar për fenë e vetme, të përsosur dhe të pranuar tek Allahu lartësuar, fenë Islame, për librin, dërgatën qiellore, Kuranin e famshëm dhe sunetin(traditën profetike), këtë fe madhështore, Zoti im më dhuroi begati të pafundme, dhunti që i kisha kërkuar, më plotësoi ëndrrat e bukura, në rrugën e Diturisë, me mundësoi Meditimin, Hulumtimin, shtimin e diturisë edhe më tej, nga bujaria e Tij e madhe, nga mëshira e Tij e gjerë, e krahas sprovave dhe vështirësive, edhe dhunti të tjera, që nuk i kisha kërkuar ose nuk dija për egzistencën dhe mirësinë që mbartin, siç është feja jonë Islame, e vërteta e lumtur, që do të vinte, si një thelë mbi bisht, vite më vonë, si gjëja më e bukur dhe më madhështore, që kishte ndodhur ndonjëherë në jetën time .

Pse fenë islame?!

Sepse Islami është feja e vetme, e pranuar tek Allahu!- thuhet në Suren Ali Imran, ajeti 19, Kur'an.

Arsye tjetër?!

Për të fituar Paqen ! Për të dalë nga errësira në Dritë, për të fituar Dritë, për të pasur dritë, për ta jetuar jetën në dritë e në paqe, në të dy botët.
Mirëpo, ç'lidhje ka paqja me Islamin apo anasjelltas?!
Islam do të thotë, Paqe, me nënshtrim të vetëdijes ndaj Zotit, Allahut të lartësuar.
Fjala Islam rrjedh nga fjala bazë, Selam, që do të thotë Paqe. 
Gjithashtu rrjedh nga fjala tjetër arabe, Selim, që do të thotë t'ja nënështrosh vullnetin tënd, Zotit të madhëruar.
Shkurtimisht, Islam, domethënë Paqe e fituar, duke nënështruar vullnetin tënd, Zotit të madhëruar.
Prandaj, ju përshëndes me përshëndetjen e bukur Islame:-Es Selamu Alejkum Ue Rrahmetullahi, Ue Berekatuhu ! Pra, Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit, Allahut subhane ue teala, Zotit të gjithëfuqishëm, qoftë me ju!
Eshtë nder dhe kënaqësi për mua, si krijesë e Zotit, të jem një intelektuale, një arsimtare dhe shkrimtare, pjesëtare e umetit Islam, të umetit të Muhamedit alejhi selam. Jam e kënaqur dhe krenare, sepse i përkas një feje, që e zgjodhi Vet, Krijuesi ynë, për ne, si mëshirë për gjithë njerëzimin e të gjithë gjeneratave, fe të cilën e përsosi, në shërbim të njeriut, fe tek e cila gjen paqen, qetësinë shpirtërore, dije të gjerë, të thellë e të saktë, pas sprovave e vështirësive gjen lehtësinë, modestinë, mirësinë, fuqizimin e moralit të lartë, zhvillim, progres të gjithanshëm, ndihmë dhe përkrahje të madhe, në çdo kohë e në çdo lëmi të jetës, bamirësi e solidaritet, shpresë të madhe e begati pa fund, adhurim të Zotit, që sjell qetësim, mirëkuptim dhe harmoni, sjell stabilitet, kënaqësi të syrit, të shpirtit dhe të zemrës, rehati të trupit, të shpirtit, nëpër stuhi apo puhi sprovimesh. E, Kush është ai ose ajo, që nuk do t'i dëshironte gjithë këto të mira, të jenë pjesë e jetës së tij, jo vetëm për këtë dynja, por edhe për përjetësinë, botën tjetër ahiretin ?!
Prandaj, jam e kënaqur, që, Zoti im është Allahu, feja ime është Islami, dhe që, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë për të, është rob dhe i dërguar i Allahut.

Çfarë më pëlqeu tjetër ?!

Ajeti Kuranor:“Por Allahut ia kanë frikën, vetëm dijetarët nga robërit e Tij.” 
Kuran, Surja Fatir, ajeti 28 
I cili më shtoi më shumë kërshërinë, për të depërtuar edhe më thellë, në viset e Kuranit dhe të Sunetit profetik, dhe sa më shumë që depërtoja në brendësi të Kuranit, aq më shumë mrekullohesha, më shtohej edhe më shumë kureshtja, kërshëria dhe dëshira për t'u kthyer përsëri e përsëri, në ato vise plot lulëzim e shkëlqim, ku shpresa nuk shuhej, por edhe më shumë shtohej e bëhej më mbresëlënëse, për çdo situatë dhe rrethanë jetësore, aq më tepër, kur flitej edhe për një botë të panjohur dhe të papranuar më parë, për botën tjetër ahiretin. Përballja me konceptet, që më parë i konsideronim si simbolike dhe irreale, koncepte si Ringjallja, Kiameti, Dita e Llogarisë, Xheneti, si shpërblim për punëmirët, besimdrejtët, Xhehenemi, si dënim për punëkeqët, mohuesit, Allahu na ruajt prej tij. Të gjitha argumentet Kuranore, në veten e njeriut, dhe në tërë horizontet, e bindnin edhe më shumë zemrën dhe mendjen, se Kurani është padyshim fjalë e Allahut të lartësuar, dhe gjithçka që thuhet në të është e vërtetë, si vetë egzistenca e njeriut, si drita e diellit, etj.
Dhe, se është një libër hyjnor, dhe vërtetues i librave hyjnor të mëparshëm.
Dhe, se autor është Krijuesi i gjithësisë, i Cili ka fuqi për të bërë gjithçka, ndërsa fuqinë e Tij ngadhënjyese dhe të pashok nuk mund ta vendosësh në dyshim, se pikërisht, prandaj quhet Zot, Një i Vetëm, i Pashok, pa grua, pa fëmijë, pa ortak në sundimin e Tij, i përjetshëm, që nuk vdes kurrë dhe i Vetmi me të drejtë për t'u lavdëruar dhe për t'u adhuruar.
Ai, që e krijoi njëherë botën dhe gjithçka ka në të, krijoi njeriun, çfarë e pengon të të ringjallë, o njeri, të të kërkojë llogari, për llojet e veprave, në këtë jetë dhe të të shpërblejë ose të të dënojë, në këtë botë, ose në tjetrën?!

Më pëlqyen të mirat e shumta dhe të pafundme, që të ofron kjo fe hyjnore, e cila i ngjan jo një deti mirësie, por një oqeani të pafund e të thellë mirësie, e kopshteve të lulëzuara pranverore, nisur nga ajeti i parë, i cili ka zbritur në sipërfaqen e tokës, që është ajeti i dijes, i diturisë, ajeti nr.1 i sures Alak, që thotë:-''Me emrin e Zotit tënd, Lexo!'' Dhe vazhdon me ajetin nr.3
Një nga gjërat më të dashura dhe më të çmuara, në jetën time, ka qenë dhe mbetet dituria. Kur lexova këtë ajet, zemra ime u mbush me ngazëllim dhe shpresë, d.m.th. Feja Islame nuk është as errësirë e prapambetje, siç na kishin informuar dikur demagogët, por përkundër është dritë e dijes, e diturisë e zhvillimit dhe e progresit, është dritë, që ndriçon dhe lartëson mendjet, zemrat,
individët, familjet, shoqëritë dhe kombet. Ky është një ajet Kuranor, i cili zbriti si dhuratë e madhe për mbarë njerëzimin, që më bëri shumë entuziaste në kufijtë e të lejuarës, dhe më  reformoi këndvështrimin mbi jetën dhe botën, dhe e kompletoi atë, këndvështrimin tim, sipas Fesë Islame, fe të cilën dikur e shihja si diçka të çuditshme, madje e shihja si diçka arkaike, si opium, si diçka, që mbartej nga mendësia e traditës dhe asaj rurale, si diçka e pa vlerë, Estagfirullah, e gjithë kjo, për shkak të mungesës së informacionit të vërtetë dhe të keqinterpretimit. Mirëpo, Allahu lartësuar ka thënë, në Kuranin e bekuar, në një tjetër ajet Kuranor, se:-''...ata duan ta shuajnë dritën e Allahut, por Allahu e përhap atë, përkundër asaj, që ata, mohuesit e urrejnë.'' 
Dhe ky është një fakt madhor, sepse unë kurrë nuk e kisha perceptuar, që të bëhesha një ditë, një praktikante e fesë Islame e aq më tepër të vishja petkun e devotshmërisë, mbulesën Islame dhe zemrën ta mbushja me Kuran, në përditshmërinë time jetësore.
Së dyti, gjatë leximit të Kuranit herë pas here, madje shumë shpesh e dendur, zbulova ajetin se;- ''Kurani është shërim...!'',Shërim për trupin,  dhe shpirtin, dhe  rrugëdalje e lehtë, shpëtuese, për çdo çështje.
Në fillim, të them të drejtën, ndjeva një lloj mosbesimi, Allahu më faltë, m'u duk sikur aty mohohej vlera e shkencave, ndërkohë, që pikërisht aty, brenda në Kuran, promovoheshin të gjitha llojet e shkencave, që njohim ne, gjithçka e pastër, dhuratë nga Zoti(Allahu) për njeriun, në shërbim të njeriut.
Por, këtë arrita ta qartësoj, vetëm me ndihmën dhe mëshirën e Zotit tim, duke lexuar Kur'anin e shenjtë,  Allahu më dhuroi më shumë këmbënguljen për të lexuar, kuptuar dhe praktikuar, duke medituar rreth ajeteve kuranore, dhe argumenteve nga gjithë horizontet, duke mos u ndalur e mos rreshtur së shtuari, e kërkuar dituri, por edhe duke shfrytëzuar literaturë teologjike, që ishin në përputhje të plotë me Kuranin dhe sunetin. Por, ndihmë e madhe ishin edhe komentimet për çdo Sure, kapitull në Kuran, pasi nuk kisha asnjë lloj kontakti me praktikuesit dhe praktikueset e fese islame, as mësues të lëndëve fetare, teolog , siç i njohim, e as me besimtarë dhe besimtare, që të më flisnin për vlerat, të mirat, madhështinë dhe bukurinë e kësaj feje, për benefitet, edhe pse jetoja dhe punoja, pothuajse, në mes të tri Xhamive, në kryeqytetin tonë të dashur,Tiranën. Ndoshta, sepse unë isha një njeri i sferës arsimore, i dijes, dhe Zoti ynë  i dashur e kishte caktuar, të ma udhëzonte zemrën, të ma zgjeronte kraharorin me dritën e diturisë islame, ta gjeja të vërtetën e dijes hyjnore, vetë, pa dyshim me ndihmën e Krrijuesit, duke lexuar bibloteka të tëra, në jetën si arsimtare, dhe si autore librash, e më pas, duke e lexuar Kur’anin e shenjtë, me një etje të pashuar, ashtu sikurse ndodhi, ky bekim.
Ndoshta nuk kishte ardhur afati, Allahu e di më së miri, por i referohem ajetit, në Kuran, në suren En Am, ajeti 67, ''...çdo lajm e ka afatin e realizimit, e më vonë, ju do të kuptoni.'' Ajet, që vërteton, se edhe udhëzimi në fenë Islame, ka momentin, kohën e vet, sepse, Allahu, gjithçkaje i ka caktuar një afat, një kohë, pasi nuk mund ta pranosh dhe praktikosh fenë, pa e njohur dhe pa e kuptuar atë, dhe benefitet dhe lehtësitë, që të sjell, dhe as pa njohur, madhështinë e Zotit, që na krijoi. Kohë, në të cilën njeriu bën ndryshime rrënjësore, në jetën e tij, në përputhje të plotë, me dispozitat e Allahut, tashmë, për të siguruar kënaqësinë e Tij, të Krijuesit dhe jo të krijesave, të cilat nga natyra janë të dobëta dhe pothuajse, përherë të pakënaqura. 

Hap pas hapi, gradualisht, fillova të kuptoj se, Kurani është një kumtesë e madhe, një urtësi e madhe, e përsosur Hyjnore, këshillë e lartë, i bekuar, mungesa e të cilit i thellon problemet, i rrit brengat dhe vuajtjet njerëzore, ndërsa prania, njohja dhe zbatimi i këshillave të tij, e bën jetën më të bukur, më të lehtë, nëse e jeton sipas dispozitave të përcaktuara. Vetëm me njohjen, zbatimin e këtyre dispozitave, me dëshirë, vullnet dhe durim, njeriu kapërcen sprovat dhe vështirësitë, që   shfaqen gjatë jetës.

.
Mbërrita, gjithashtu, tek ajeti, që dëshmon arsyen, përse njeriu ka ardhur në këtë botë, origjina dhe misioni i tij.
Gjatë jetës sime si mësimdhënëse, si njeri i letrave dhe i medias, për aq sa kam kontribuar, më kishte shqetësuar arsyeja se, përse Zoti na krijoi, cili ishte misioni ynë, përse ka kaq shumë zullum e ligësi në natyrën e njeriut dhe në sipërfaqen e tokës, krahas të mirave, të pafund, me të cilat Allahu na ka furnizuar, dhunti nga më të ndryshme, për çdo krijesë njerëzore, e gradime të ndryshme për gjithësecilin.
Njeriu, krijesa më e çuditshme, ishte një temë, që kryesonte orët mësimore krijuese, nëpër ese dhe diskutime, por asnjëherë me gjithë krijimet e bukura të nxënësve dhe të miat, apo të shkrimtarëve të mëdhenj, nuk ishte dhënë përgjigjja e saktë, kështu që vazhdova të eksploroja, derisa përmes fjalës së Zotit në Kuran, përmes udhëzimit dhe mëshirës së Tij, zbulova dhe mora përgjigjet e këtyre nocioneve shqetësuese.
Kurani është urtësi e përsosur, Kushtetutë Hyjnore, mirësi e madhe, që i është sjellë gjithë njerëzimit.

Dhe ata, që zgjedhin ta jetojnë jetën në përputhje me dispozitat Kuranore, do të përfitojnë  një jetë të lehtë dhe të bukur në jetën e kësaj bote, dhe lumturinë e përhershme në ahiret.

Allahu lartësuar thotë në Kuran: "O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti i juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët." (Junus, 57)

''Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar(e), Ne do t'i japim atij/asaj një jetë të mirë dhe të bukur,( në këtë botë) e ( në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre'' {Kuran 16:97}
Krahas diturisë, më pëlqeu fakti, se i tërë Kurani është ispirim, udhëzim, mëshirë, shërim e begatim, në çdo sferë jetësore.
Kuptova se në themel të Fesë Islame, qëndron Teuhidi; njohja, njësimi dhe adhurimi i Krijuesit, drejtësia, bamirësia, modestia, dhe mëshira e Tij, e gjerë, qëndron dituria, arsimimi i të dy gjinive; morali i lartë, edukimi i drejtë dhe i fuqishëm, për një individ të shëndetshëm, për një familje të shëndetshme, për një shoqëri të shëndetshme, për një komb dhe kombe të shëndetshme e progresive.
Kuptova thelbin e krijimit,përmes ajetit: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.” Sure Dharijat, ajeti 56, Kuran.

Thuaj: “Vërtet, Zoti im më udhëzoi në rrugë të drejtë, që është fe e drejtë, fe e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota. Ai (Ibrahimi) nuk ishte idhujtar!
Surja En Am
"E Kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut,që 
bën vepra të mira dhe që thotë ;"Unë jam prej Muslimanëve?"(Fussilet 33)

 

Thuaj: "Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje."
Kuran, Jusuf: 108“
Thuaj (o Muhamed)! “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kuranin dhe Sunetin, rrugën time). Allahu do t`ju dojë ju dhe do t`ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” 
"Ky (Kurani) është dritë e dijes për njerëz, është udhëzues e mëshirë për një popull që beson bindshëm."
EL-Xhathije: 20
''Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju, që Islami të jetë feja juaj.'' Kuran, Surja Maide, ajeti 3

Më pëlqeu feja islame, dhe e zgjodha atë si rrugë shpëtimi, kur u njoha edhe me shembullin më të denjë dhe më të bukur,(për t'u ndjekur) për njerëzimin, diellin e profecisë, vulën e profetëve, Muhamedin, alejhi selam, që Allahu na e solli  ta pasojmë dhe ta nderojmë, profetin (a.s), paqja dhe mëshira e Allahut qoftë për të, të cilin e cilësoi “me moralin më të lartë “dhe dëshmoi në Kur'anin e begatshëm, se e solli “si mëshirë, për të gjitha krijesat.” “Ju e keni shembullin më të mirë, në të dërguarin e Allahut...” Kur'an,

Falenderimi i takon vetëm Allahut, që më udhëzoi në këtë fe të bukur hyjnore, në ihdinas siratal mustekim(në rrugën e drejtë...sure El Fatiha,Kur'an)me  plot argumente dhe mirësi të pafund për njeriun, për të dy botët!
Paqja, mëshira, bekimet dhe begatitë e Zotit, qofshin për të dërguarin e Allahut, Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, për famijen e tij të ndershme, për shokët e tij besnik, dhe për të gjithë ata, që e pasojnë rrugën e tij, deri në ditën e gjykimit.
Mëshira, dhe bekimet e Allahut, Krijuesit tonë të dashur, qofshin për të gjithë lexuesit e rrëfimit, për rrugëtimin në Fenë Islame.
Ndihmë dhe falje kërkoj prej Allahut bamirës dhe mëshirëplotë, për çdo gabim njerëzor, apo mangësi gjatë procesit të shkrimit, apo interpretimit. E Lus Allahun e madhërishëm, që këtë kontribut modest, të ma shpërblejë me mirësi pa fund, në të dy botët! E lus, që, të paudhëzuarit t'i udhëzojë ta gjejnë të vërtetën e lumtur, në Kuranin Fisnik, ndërsa mua, dhe të udhëzuarit t'i fuqizojë edhe më shumë me devotshmëri të lartë, në këtë fe të bukur dhe madhështore, Fenë Islame, t’u dhurojë mirësitë e kësaj bote dhe xhenetet e begatshme në botën tjetër, ahiretin!

E lus Zotin, që ta gjeni të vërtetën e lumtur, që‘’fshihet’’, nëpër rrezet e Dritës Hyjnore, strehohet në Kur’anin fisnik, që Allahu t’u dhurojë lehtësi, në misionin tuaj fisnik, për adhurimin e Krijuesit ! Amin !

Ja, pra, përse e zgjodha fenë islame, sepse në të, në Kur'anin Fisnik, gjeta të vërtetën e lumtur., ashtu sikurse thuhet ne ajetin 103  të sures Ali Imran.
 Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta, që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur

O Zoti im, le të jetë ky libër i imi, artistik, me referencë librin Tënd, shpalljen hyjnore, Kur'anin e shenjtë dhe të bekuar, në sajë të mëshirës dhe bujarisë Tënde të madhe, të jetë, sadaka rrjedhëse në këtë botë, dhe sadaka rrjedhëse edhe në botën tjetër, ahiretin, e pranuar nga Ty, o Zoti ynë i gjithëfuqishëm dhe lavdiplotë, le të jetë fuqi devotshmërie, dritë e madhe  shprese, falje dhe mëshirë, dritë besimi dhe gëzimi, shkëlqim dhe gëzim, lumturi për zemrën, fytyrën, trupin dhe shpirtin në këtë botë, në ditën, kur do të largohem nga kjo botë, në jetën e berzahut, në ditën e ringjalljes dhe të kijametit, në ditën e madhe të llogarisë, kur të dalim para Teje,

All-llahut, Sundimtarit të vetëm dhe të vërtetë, të botërave dhe të ditës së gjykimit, kur njeriut nuk do t'i bëjë dobi asgjë, as malli, as prindi, as fëmijët, as të afërmit e të njohurit me të cilët krenohej, e te të cilët mbështetej, përveç veprave të tij të mira, dhe veçanërisht, mëshira e  Krijuesit tonë të lavdishëm.

O Zoti im, pranoje këtë vepër, kompozuar për hirin Tënd, me besimin dhe shpresën, për të fituar  kënaqësinë Tënde, dhe me ndihmën Tënde, pranoje, sepse Ti je, që vërtet dëgjon dhe di, o mëshirues, o mëshirëbërës, më beko mua dhe këdo, që do të marri pjesë, në procesin e përgatitjes së këtij libri poetik, për të parë dritën e botimit, dhe do të bëhet ndihmëtar apo ndihmëtare,  në rrugën Tënde, duke patur si qëllim në zemër:-fitimin e kënaqësisë Tënde, në të dy botët, dhe veçanërisht, le të jetë i madh, bekimi mbi ne, e madhe le të jetë mëshira Jote, e pasosur, ditën, kur do të dërgosh ëngjëjt, dërgoi me përgëzim, ditën kur do të takojmë Ty, o Allah, o Zoti ynë fuqiplotë, atë ditë, e atë çast, le të nderohemi  prej Teje, prej të Gjithëmëshirshmit, me fytyrat, dhe zemrat, që ndriçojnë dhe shkëlqejnë nga gëzimi dhe nga lumturimi, me sihariqin, se do të jemi banorë të përhershëm, të kopshteve ku rrjedhin lumenj, në shoqërinë e profetëve...! Amin!

Nga libri më i ri , i Autores:"Kjo Dritë Hyjnore,_të thërret në shpëtim!